
54-vjeçari ishte raportuar i zhdukur gjatë motit të keq, dyshohet se u mor nga rrjedha e ujit
Përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të ditëve të fundit në Durrës kanë sjellë viktimën e parë. Astrit Hysenaj, , 54 vjeç, është gjetur i pajetë në një kanal kullues pranë ish-repartit ushtarak, duke shënuar një ngjarje të rëndë që lidhet drejtpërdrejt me motin ekstrem.
Hysenaj ishte raportuar i zhdukur që më 6 janar, pas një apeli të bërë nga familjarët, të cilët kishin humbur kontaktet me të gjatë reshjeve intensive. Ai ishte parë për herë të fundit në zonën e plazhit të Durrësit, në kushte të vështira atmosferike.
Pas disa ditësh kërkimesh, sot trupi i tij u lokalizua nga palombarët e RENEA-s në një kanal kullues në afërsi të zonës së Plepave. Paraprakisht dyshohet se 54-vjeçari është marrë nga rrjedha e fuqishme e ujit si pasojë e përmbytjeve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike. Autoritetet vijojnë të apelojnë për kujdes maksimal, ndërsa situata e motit mbetet problematike në disa zona të qytetit.
