
Reshjet intensive të shiut sjellin ndërprerje të procesit mësimor dhe vështirësi në qarkullim
Reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të natës dhe mëngjesit të kësaj të marte kanë shkaktuar probleme të shumta në qytetin e Durrësit dhe në Lezhë, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në zhvillimin normal të procesit arsimor.
Në Lezhë, për shkak të pranisë së ujit në ambientet përreth, është pezulluar përkohësisht mësimi në shkollën 9 vjeçare Kosova, si masë sigurie për nxënësit dhe stafin mësimor.
Ndërkohë, në Durrës situata e krijuar nga përmbytjet ka detyruar autoritetet të ndërpresin zhvillimin e mësimit në disa shkolla të qytetit, si edhe në Universiteti Aleksandër Moisiu, për shkak të kushteve të papërshtatshme dhe vështirësive të krijuara nga moti i keq.
Reshjet kanë përfshirë zona të shumta në të dy qytetet, duke sjellë edhe probleme në qarkullimin rrugor dhe lëvizjen e banorëve. Autoritetet janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës, ndërsa pritet që normalizimi i kushteve të varet nga përmirësimi i motit gjatë orëve në vijim.
