
Deputeti akuzon bashkinë dhe ministritë për neglizhencë të qëllimshme dhe paralajmërime të injoruara ndër vite
Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Arian Ndoja, ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar nga përmbytjet në qytetin e Durrësit, duke e cilësuar atë jo si një fatkeqësi natyrore, por si pasojë të drejtpërdrejtë të dështimit dhe neglizhencës institucionale të akumuluar prej vitesh.
Në reagimin e tij publik, Ndoja thekson se problematika më kritike paraqitet në lagjen nr. 17, ku reshjet e shiut kanë paralizuar jetën e përditshme të banorëve. Sipas deputetit, kjo situatë ka qenë e paralajmëruar prej kohësh dhe institucionet përgjegjëse kanë pasur dijeni të plotë, por nuk kanë ndërmarrë asnjë masë konkrete për ta parandaluar.
Ai shprehet se çështja është ngritur disa herë edhe në Kuvend, pa sjellë asnjë reagim apo zgjidhje nga autoritetet përkatëse. Sipas Ndojës, kanalet e kullimit janë lënë të papastruara, ndërsa hidrovori kryesor është zhvendosur dhe funksionon në kundërshtim me standardet teknike, pasi ndodhet në një nivel më të lartë se ai i mëparshmi, duke e bërë pothuajse të pamundur kryerjen e funksionit të tij.
Deputeti e përkufizon gjendjen aktuale si një fatkeqësi të shkaktuar nga dora e njeriut, duke theksuar se përgjegjësia kryesore bie mbi Bashkinë e Durrësit për mungesën e projekteve funksionale për zonën, si dhe mbi ministrinë përgjegjëse për keqmenaxhimin e kanaleve të kullimit dhe mosfunksionimin efektiv të hidrovorit.
Sipas tij, ndërhyrjet aktuale janë vetëm të karakterit emergjent dhe nuk adresojnë thelbin e problemit, ndërsa pa investime reale dhe zgjidhje strukturore, përmbytjet do të përsëriten sa herë që qyteti përballet me reshje intensive shiu.
