Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin prej orëve të para të ditës së sotme kanë krijuar problematika në disa zona, ku strukturat e emergjencave civile, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, janë angazhuar për të ndihmuar qytetarët.
Për shkak të pranisë së ujit në banesa, është kryer evakuimi i një familje prej 5 anëtarësh nga ekipet e Forcave të Armatosura në fshatin Dukagjin i Ri, njësia administrative Thumanë.
Në njësinë administrative Zejmen, si pasojë e vërshimit të përrenjve të Prullit dhe Pllanës, ka prani uji në 4 banesa. Banorët janë akomoduar përkohësisht nga strukturat vendore
Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me strukturat e mbrojtjes civile dhe ekipet e emergjencave për marrjen e masave në rast përkeqësimi të kushteve atmosferike.
