
I riu përdorte llogari false në Instagram dhe TikTok, veprimet i shkaktuan ankth dhe panik viktimës
Një i ri është arrestuar nga policia pasi përndiqte dhe kanoste një 37-vjeçare përmes rrjeteve sociale, duke përdorur llogari false. Ngjarja është zbardhur pas kallëzimit të bërë nga viktima, e cila ka deklaruar se veprimet e vazhdueshme i kishin shkaktuar ankth dhe gjendje paniku.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të kallëzimit, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në kuadër të operacionit të koduar Insistimi, kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar.
Në pranga ka rënë shtetasi L. K., 28 vjeç, banues në fshatin Halilaj, Fushë Krujë. Gjatë kontrollit të dy celularëve të tij, policia ka konstatuar se ishin aktive disa llogari false në platformat Instagram dhe TikTok, të cilat përdoreshin për të përndjekur dhe kërcënuar 37-vjeçaren.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Tiranë për veprime të mëtejshme ligjore. Autoritetet apelojnë që qytetarët të denoncojnë çdo rast të përndjekjes apo kërcënimit në rrjetet sociale.
