Policia e Tiranës ka vënë pranga një 28-vjeçar pasi dyshohet se përndiqte një 37-vjeçare në rrjetet sociale. Sipas uniformave blu, i riu me iniciale L. K., banues në fshatin Halilaj, Fushë Krujë, kishte krijuar llogari false në platformat Instagram dhe TikTok.
Ai e përndiqte duke bërë veprime të cilat sipas vajzës i kishin shkaktuar asaj ankth dhe panik. Në kuadër të këtij operacioni të koduar policor, mësohet se policia ka sekuestruar 2 celularët në të cilët i arrestuari kishte të aktivizuara llogaritë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
DVP Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Insistimi”.
I shkaktoi ankth dhe panik, një 37-vjeçareje, duke e përndjekur dhe kanosur në rrjete sociale, nëpërmjet disa llogarive false, arrestohet 28-vjeçari.
Sekuestrohen 2 celularët në të cilët i arrestuari kishte aktivizuar llogaritë.Si rezultat i administrimit të shpejtë të kallëzimit të një shtetaseje, se përndiqej dhe kanosej në rrjete sociale, veprime të cilat i kishin shkaktuar ankth dhe panik, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në kuadër të operacionit “Insistimi”, mundësuan lokalizimin dhe vënien në pranga të autorit të dyshuar të rastit, shtetasit L. K., 28 vjeç, banues në fshatin Halilaj, Fushë Krujë.
Nga kontrollet në 2 celularët e tij, u gjetën të aktivizuara llogari false, në platformat “Instagram” dhe “TikTok”, nëpërmjet të cilave 28-vjeçari përndiqte dhe kanoste 37-vjeçaren. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
