Policia e Durrësit ka arrestuar një 58-vjeçar që u largua nga vendi i një aksidenti me pasojë vdekjen e një të moshuare 82-vjeçare, i ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor “Peqin – Rrogozhinë”.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, pas kontrolleve intensive të kryera nga specialistët e qarkullimit rrugor, u lokalizua dhe u arrestua shtetasi D. G., 58 vjeç, banues në Kavajë, i dyshuar si drejtuesi i automjetit që përplasi për vdekje shtetasen M. K., 82 vjeçe.
Policia bëri të ditur se automjeti me të cilin ndodhi aksidenti është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale
Në përfundim të veprimeve procedurale, D. G. u arrestua në flagrancë dhe do të përballet me akuzat për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, si dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.
