
Kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka deklaruar se forca e tij politike nuk do të mbështesë kandidaturën e Florian Binajt për Bashkinë e Tiranës, duke e quajtur përzgjedhjen e tij një proces pa transparencë dhe pa logjikë demokratike.
Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka dalë hapur kundër kandidaturës së Florian Binajt për Bashkinë e Tiranës, duke thelluar përçarjen brenda radhëve të opozitës. Në një deklaratë për mediat, Shehaj theksoi se procesi i përzgjedhjes së kandidatit ishte “qesharak” dhe i pabazuar në asnjë kriter real.
“Qëllimi ynë nuk ishte të impononim një emër, por të zgjidhnim kandidatin më të mirë për Tiranën. Mënyra më e drejtë për ta bërë këtë është përmes sondazheve. Si mund të shkojmë në zgjedhje pa e ditur kush është kandidati më i mirë? Kjo është e papranueshme”, – deklaroi Shehaj.
Ai tha se nuk ka pasur asnjë kontakt me ish-kryeministrin Sali Berisha pas shpalljes së kandidaturës së Binajt nga Partia Demokratike, duke e cilësuar procesin si një vendim të njëanshëm që përjashtoi bashkëpunimin mes forcave opozitare.
“Komunikimi për një kandidaturë të përbashkët mbaroi në momentin që PD doli vetëm me një emër. Nuk ka kuptim të diskutojmë më, sepse askush nuk mund të pretendojë që një parti të ndryshojë kandidat pas shpalljes zyrtare”, – shtoi ai.
Shehaj përsëriti se përzgjedhja e kandidatit për Tiranën duhej të ishte rezultat i një procesi të hapur dhe të matshëm, ashtu siç ndodh në demokracitë perëndimore:“Vetëm përmes sondazheve mund të jemi të sigurt që kandidati që përfaqëson opozitën është më i miri. Ne nuk mund të bëjmë zgjedhje me hamendje.”
Deklaratat e Shehajt vijnë në një moment kur opozita ndodhet përballë një krize të thellë bashkërendimi, ndërsa gara për Bashkinë e Tiranës po kthehet në një test politik për gjithë kampin opozitar.