Pas suksesit në “Big Brother VIP”, moderatorja më e komentuar e ekranit shqiptar rikthehet në Festivalin e Këngës, mes rivalitetit me Luana Vjollcën dhe një fature të papaguar ndaj RTSH
Në Televizionin Publik Shqiptar po përgatitet një rikthim që ka ndezur debatin në botën e medias. Arbana Osmani pritet të drejtojë Festivalin e 64-t të RTSH, duke lënë pas krahëve emra të tjerë të njohur, mes tyre edhe Luana Vjollcën.
Burime pranë televizionit publik bëjnë të ditur se Arbana ka dorëzuar propozimin e saj zyrtar për formatin e festivalit, duke vendosur edhe një kusht: regjisor i eventit të jetë bashkëshorti i saj, Eduart Grishaj. Kjo lëvizje ka forcuar pozitat e saj përballë Luanës, e cila gjithashtu kishte prezantuar një ofertë për drejtimin e spektaklit.
Sipas informacioneve të brendshme, takimi i sotëm mes Arbanës dhe drejtoreshës së RTSH, Eni Vasili, ka mbyllur garën në favor të saj. Ky do të jetë rikthimi i dytë i Arbanës në Festivalin e Këngës, pasi kishte moderuar një edicion të mëparshëm që solli jo pak zhurmë dhe një faturë të kripur prej 50 milionë lekësh nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për keqpërdorime financiare të konstatuara gjatë organizimit.
Megjithatë, duket se moderatorja më e komentuar e ekranit nuk ndalet. Për herë të dytë, ajo i merr një projekt madhor Luanës, njësoj si ndodhi me “Big Brother VIP”, duke nxitur sërish krahasimet dhe polemikat në rrjetet sociale.
Festivali i 64-t i RTSH pritet të zhvillohet në fund të dhjetorit dhe, me rikthimin e Arbanës në skenë, duket se gara për vëmendjen e publikut do të fillojë që shumë më herët.
