
Stenaldo sqaron se hyrja e tij në reality nuk ka qenë për emocione, ndërsa Brikena shprehet e zhgënjyer që afrimiteti i saj u keqkuptua
Një debat i fortë ka shpërthyer gjatë javës mes Stenaldos dhe Brikenës, duke sjellë tensione të reja brenda shtëpisë. Përplasja erdhi si pasojë e mënyrës së afrimit dhe përkujdesjes që Brikena kishte treguar ndaj Stenaldos, gjë që u interpretua ndryshe nga ana e tij.
Stenaldo u shpreh se hyrja e tij në program nuk ka pasur si qëllim shfaqjen e dobësive apo emocioneve, por për të dhënë maksimumin në lojë. Ai theksoi se do të kishte preferuar të ishte në qendër të vëmendjes për arsye të tjera dhe jo për debate, duke nënvizuar se çdo banor përdor strategjitë e veta për të avancuar në një reality show.
Sipas tij, mesazhi që i është drejtuar Brikenës nuk ishte personal, por i vlefshëm për të gjithë grupin, duke shtuar se ai nuk tërhiqet dhe nuk i hap rrugë askujt në lojë. Stenaldo shtoi se pozicioni i krijuar në shtëpi ishte rezultat i zgjedhjeve individuale të secilit banor.
Nga ana tjetër, Brikena tregoi se është ndier e lënduar nga situata. Ajo shpjegoi se afrimiteti i saj kishte ardhur si pasojë e mbështetjes dhe qëndrimit pranë Stenaldos në momente të ndryshme, por në çastin kur e ndjeu se kjo po kthehej në bezdi, vendosi të distancohej.
