
Demokratët kërkojnë rritjen e numrit të bashkive, socialistët kundërshtojnë duke thënë se njësitë më të vogla janë më pak efikase dhe më shpenzuese
Mbledhja e parë e Komisionit të Reformës Territoriale nisi me tension politik, pasi bashkëkryetarët Arbjan Mazniku nga PS dhe Luciano Boci nga PD nuk arritën të ulen bashkë. Megjithatë, të dy palët shprehën qartë prioritetet e tyre për procesin që pritet të riformatojë ndarjen administrative të vendit.
Socialisti Arbjan Mazniku theksoi se fokus duhet të jenë kapacitetet financiare, njerëzore dhe funksionale të njësive vendore, duke nënvizuar se territori nuk është objektiv më vete. Sipas tij, bashkitë duhet të jenë në gjendje të përputhen me standardet e Bashkimit Europian për të tërhequr fonde dhe për të ofruar shërbime cilësore.
Demokrati Luciano Boci nga ana tjetër kërkoi që ndarja territoriale të reflektojë karakteristikat ekonomike dhe gjeografike të zonave, lidhjen komunitare dhe historike, duke ruajtur balancën midis tyre. Opozita vijon t’i qëndrojë kërkesës për shtimin e numrit të bashkive, duke kërkuar një riorganizim më të drejtë të hartës aktuale.
Sipas PD-së, disa prej kufijve aktualë kanë dëmtuar përfaqësimin e komuniteteve dhe ofrimin e shërbimeve. Ndaj demokratët paralajmërojnë propozim për rritje të numrit të bashkive, duke kundërshtuar çdo tendencë për ngushtimin e tyre.
Mazhoranca e komisionit ka një qëndrim të kundërt. Socialistët argumentojnë se bashkitë më të vogla kanë historikisht shërbime më të dobëta dhe shpenzime më të larta për paga, duke konsumuar buxhetin në kurriz të shërbimeve publike. Mazniku shtoi se mund të shqyrtohen edhe modele me funksione të ndërmjetme mes bashkive dhe qarqeve, megjithëse opozita e sheh këtë si diskriminuese.
Propozimi për krijimin e bashkive qendër me bashki periferike u refuzua nga PD, e cila këmbëngul që të gjitha njësitë vendore të kenë të njëjtin status dhe peshë institucionale.
Debati pritet të zgjerohet edhe më tej, pasi mund të rikthehet diskutimi për ndarjen e vendit në rajone, çka do të ndikonte jo vetëm në pushtetin vendor, por edhe në strukturat e administratës së dekoncentruar të qeverisë.
