

Pas denoncimit për grumbuj mbeturinash në Selitë, Erion Braçe thotë se nënkryetarja e Tiranës, Anuela Ristani, ia ka kaluar çështjen Ilir Mengrës; deputeti e akuzon për arrogancë.
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, publikoi sot një videomesazh dhe komunikime private, ku i drejtohet Anuela Ristanit (Bashkia Tiranë) me frazën “Turp të kesh!”, lidhur me denoncimin e tij për grumbuj mbeturinash në zonën e Selitës. Sipas Braçes, përgjigjja nga Bashkia ka ardhur disa orë më vonë, duke i kërkuar që problemi të adresohej tek Ilir Mengra.
Braçe akuzon nënkryetaren për arrogancë përballë hallit të njerëzve dhe thotë se prej muajit shkurt nuk është bërë asgjë për pastrimin e zonës. “Nuk pyes për asgjë!” -shkruan ai, duke theksuar se do të vazhdojë ta shtyjë çështjen deri në zgjidhje.
Ngjarja vjen pasi prej ditësh banorë të Selitës kanë denoncuar ndotje të përsëritur pranë nënstacionit elektrik dhe mungesë ndërhyrjeje të rregullt. Deri në momentin e publikimit, Bashkia Tiranë dhe Anuela Ristani nuk kanë dhënë një reagim të detajuar publik për akuzat e Braçes.