
Kryeministrja italiane reagoi ashpër ndaj kreut të CGIL, duke e akuzuar për gjuhë fyese ndaj grave, ndërsa Landini mohon çdo qëllim ofendues, duke thënë se fjala ishte përdorur në kuptim politik.
Një debat i ashpër ka shpërthyer në skenën politike italiane mes kryeministres Giorgia Meloni dhe sekretarit të përgjithshëm të sindikatës më të madhe në vend, CGIL, Maurizio Landini. Shkak është bërë një intervistë televizive ku Landini e cilësoi Melonin si “prostitutë”, term që ka ndezur polemika të gjera për kuptimin dhe përdorimin e tij.
Meloni reagoi menjëherë në rrjetet sociale, duke e quajtur deklaratën e Landinit një fyerje seksiste dhe një shembull të hipokrizisë së së majtës. Landini, i verbuar nga mllefi, më quan kështu në publik. Kjo është e majta që për vite predikonte respektin për gratë dhe sot më fyen për mungesë argumentesh”, shkroi ajo.
Nga ana e tij, Landini mohoi kategorikisht se kishte përdorur fjalën me qëllim përçmues. “Nuk pati asnjë fyerje dhe as mllef personal. E sqarova gjatë intervistës se i referohesha qëndrimit të saj politik, jo jetës personale. Thashë se ajo ka ndjekur linjën e Trumpit, si një mbështetëse e bindur politike. Ishte një koment mbi sjelljen politike, jo një ofendim ndaj një gruaje”, deklaroi ai për mediat italiane.
Polemika ka ndezur një valë reagimesh në opinionin publik dhe në rrjetet sociale, ku shumë figura politike dhe aktivistë për të drejtat e grave kanë kërkuar që gjuha publike të mbetet e respektueshme dhe të mos përdoret për sulme personale, veçanërisht ndaj grave në politikë.