
Avokati kërkon tre javë kohë për shqyrtimin e dosjes, prokuroria këmbëngul se mjaftojnë pesë ditë
Mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit është shoqëruar me debate të forta lidhur me provat e paraqitura nga SPAK në kërkesën për arrestimin e zv kryeministres dhe deputetes Belinda Balluku. Përplasja kryesore ka qenë mbi afatin kohor për njohjen me dosjen dhe mënyrën e aksesimit të materialeve hetimore.
Avokati i Belinda Ballukut, Adrian Kalia, ka kërkuar tre javë kohë për t’u njohur me dosjen e SPAK, duke argumentuar se materiali është voluminoz dhe kërkon kohë të mjaftueshme për shqyrtim të plotë. Kjo kërkesë është kundërshtuar nga prokurorët e SPAK, të cilët kanë deklaruar se pesë ditë janë të mjaftueshme për t’u njohur me përmbajtjen e dosjes.
Debat ka pasur edhe mbi faktin nëse provat e SPAK duhet të vihen apo jo në dispozicion të deputetëve. Opozita ka kërkuar që USB-ja me materialet hetimore t’u dorëzohet deputetëve për ta shqyrtuar edhe pas përfundimit të mbledhjes, ndërsa përfaqësuesit e mazhorancës kanë kundërshtuar daljen e dokumentacionit jashtë sallës.
Prokurorët e SPAK kanë sqaruar se materiali në USB mund të aksesohet vetëm nga anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe kanë pranuar që deputetët ta shohin gjatë mbledhjes, por jo ta marrin me vete. Në këtë linjë, përfaqësues të mazhorancës kanë insistuar që provat të shqyrtohen vetëm brenda procesit zyrtar të këshillit.
Diskutimet pritet të vijojnë, ndërsa çështja Balluku mbetet një nga temat më të ndjeshme politike dhe institucionale të momentit.
