
Deputeti demokrat denoncon mbylljen e seancës së fundit si antikushtetuese, duke akuzuar drejtuesit e Kuvendit për censurë dhe ndikim të grupeve kriminale.
Tension dhe akuza të forta kanë shoqëruar mbledhjen me dyer të mbyllura të Konferencës së Kryetarëve në Kuvend, ku opozita ka denoncuar mënyrën e drejtimit të seancës plenare të 9 tetorit. Deputeti Gazment Bardhi ka ngritur zërin kundër mazhorancës, duke e akuzuar për shkelje të rregullores, mungesë transparence dhe përdorim të autoritetit për të mbyllur zërin e kundërshtarëve.
Në ndërhyrjen e tij, Bardhi deklaroi se mbyllja e seancës ishte akt i paprecedentë dhe në kundërshtim me Kushtetutën, duke shtuar se në Kuvend po instalohet fryma e forcës, jo e ligjit. Ai theksoi se disa deputetë forcën nuk e marrin nga populli, por nga krimi i organizuar dhe se opozita nuk do të lejojë që zëri i saj të mbyllet me kartonë.
“E kuptoj që në atë Kuvend ka deputetë që mendojnë se mund të na ndalojnë të flasim. Ta harrojnë! Ne nuk marrim urdhra nga askush dhe as nuk trembemi nga krimi,” – u shpreh Bardhi, duke i bërë thirrje kryesuesit të seancës, Niko Peleshi, që të respektojë rolin institucional dhe të mos lejojë që vendimmarrja të ndikohet nga interesat politike.
Debati pritet të rikthehet edhe në seancën e ardhshme plenare, ku opozita ka paralajmëruar që do të kërkojë sqarime për procedurat dhe për shkeljet e pretenduara në drejtimin e Kuvendit.