
Presidenti amerikan e quan aneksimin prioritet sigurie kombëtare dhe thotë se nuk ka nevojë për ligjin ndërkombëtar, ndërsa Europa frikësohet për krizë në NATO
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës janë rritur ndjeshëm pas deklaratave të fundit të presidentit Donald Tramp lidhur me Groenlandën. Danimarka ka bërë thirrje që vendet europiane të dislokojnë trupa në ishullin arktik, në një përpjekje për të frenuar çdo skenar të mundshëm aneksimi nga SHBA.
Sipas mediave ndërkombëtare, Tramp ka shqyrtuar mundësinë që t’u ofrojë banorëve të Groenlandës shuma deri në 100 mijë dollarë për person, me qëllim që ishulli të shkëputet nga Danimarka dhe t’i bashkohet SHBA-së. Presidenti amerikan ka shkuar edhe më tej, duke deklaruar se nuk ka nevojë për ligjin ndërkombëtar dhe se marrja e territorit përbën një prioritet të sigurisë kombëtare.
Këto deklarata kanë shkaktuar reagime të forta në Kopenhagë. Politikanë danezë kanë kërkuar mbështetje të drejtpërdrejtë ushtarake nga partnerët europianë, duke argumentuar se prania e trupave aleate do ta rriste ndjeshëm koston e çdo ndërhyrjeje ushtarake amerikane. Disa figura politike në Danimarkë kanë paralajmëruar se çdo përpjekje për aneksim do të konsiderohej konflikt i armatosur.
Situata ka alarmuar edhe aleatët e NATO, pasi Groenlanda është territor autonom i Danimarkës, vend anëtar i aleancës. Vetë Trump ka pranuar se mund të detyrohet të zgjedhë mes ruajtjes së NATO-s dhe marrjes së ishullit strategjik, duke theksuar se aleanca është e dobët pa Shtetet e Bashkuara në qendër të saj.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka kritikuar ashpër Europën dhe Danimarkën për mungesë investimesh në mbrojtjen e Groenlandës, duke u bërë thirrje liderëve europianë që të marrin seriozisht paralajmërimet e Uashingtonit.
Në sfond të kësaj krize, ekspertët paralajmërojnë se çdo përshkallëzim i situatës në Groenlandë mund të çojë në përçarje të thellë brenda NATO-s dhe të hapë një kapitull të rrezikshëm për sigurinë në Arktik dhe për marrëdhëniet transatlantike.
