
Debati mes kreut të grupit demokrat dhe atij socialist degjeneron në ofendime; opozita akuzon mazhorancën për lidhje me emra të botës së krimit.
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve në Kuvend është shndërruar sot në një arenë përplasjesh të forta mes opozitës dhe mazhorancës, me akuza, ironi dhe fjalor të papërshtatshëm për një institucion parlamentar.
Burime nga mbledhja bëjnë me dije se debati ka nisur pas deklaratës së deputetit Gazment Bardhi, i cili e akuzoi shumicën për shkelje të rregullores dhe për mbylljen e njëanshme të seancës së fundit plenare. Bardhi ka thënë se në Kuvend po mbizotëron fryma e kartonëve dhe e ndikimit nga krimi i organizuar.
“Në atë Kuvend ka deputetë që forcën e marrin nga krimi i organizuar dhe mendojnë se mund të na mbyllin gojën. Ta harrojnë! Nëse Kuvendi drejtohet nga kryetari i grupit, na e thoni, sepse opozita nuk ka vend në një Kuvend që komandohet nga jashtë ligjit,” – është shprehur Bardhi.
Gjatë debatit, ai ka drejtuar edhe akuza personale ndaj Taulant Ballës, duke e lidhur atë me emrin e Suel Çelës, një figurë e njohur e botës së krimit në Elbasan. “Ke komunikime me Suel Çelën,” mësohet t’i ketë thënë Bardhi, çka ka bërë që Balla të reagojë me tone të larta dhe fjalë fyese, duke i thënë: “Ik ore pirdhu.”
Përplasja verbale vijoi për disa minuta, me Bardhin që iu përgjigj ashpër: “Pirdhu ti, i paedukatë. Ke fjalor rruge. Kush je ti? Zar i Suel Çelës që na jep leksione etike? Ti do shkosh në burg!”
Mbledhja është ndërprerë për pak minuta për të qetësuar situatën, ndërsa tensionet politike mes mazhorancës dhe opozitës pritet të shpërthejnë sërish në seancën e ardhshme plenare.