Operacioni “Kompleks” çon në arrestimin e dy personave, njëri prej të cilëve ishte nën masën “arrest në shtëpi”.
Policia e Berat ka finalizuar një tjetër goditje ndaj veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, në kuadër të operacionit të koduar “Kompleks”. Në pranga ka rënë një 41-vjeçar nga fshati Drenovicë, i cili kishte përshtatur lokalin e tij për shpërndarjen dhe përdorimin e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit të tij, policia sekuestroi një armë zjarri automatik, municion luftarak, sasi lënde narkotike kanabis dhe një peshore elektronike e përdorur për ndarjen e dozave.
Po në kuadër të të njëjtit operacion, u arrestua edhe një 27-vjeçar nga Kuçova, i cili ndodhej nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe drejtim mjeti në mënyrë të parregullt. Në banesën e tij u gjet një sasi tjetër kanabisi.
Operacioni është zhvilluar nga Komisariati i Policisë Kuçovë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Berat. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e lidhjeve të mundshme të kësaj veprimtarie me persona të tjerë.
