
Operacione të gjera kërkimi nisur në disa shtete, ndërsa autoritetet mbyllin shkollat dhe presidenti urdhëron rekrutimin e 30 mijë policëve të rinj
Pesëdhjetë nga 315 fëmijët e rrëmbyer të premten nga një shkollë katolike në shtetin Niger të Nigerisë kanë arritur të shpëtojnë, duke u kthyer te familjet e tyre pas një arratisjeje të përshkruar si e rrezikshme dhe e guximshme. Ndërkohë, 265 fëmijë të tjerë dhe 12 mësues mbeten peng të grupeve të armatosura.
Ngjarja është cilësuar si një nga rrëmbimet më të mëdha shkollore në Nigeri që nga grabitja famëkeqe e nxënëseve të Chibok në vitin 2014. Sulmi ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit, kur persona të armatosur depërtuan në shkollën St Mary’s në fshatin Papiri.
Pasi dhjetëra fëmijë arritën të shpëtojnë, autoritetet në disa shtete urdhëruan mbylljen e menjëhershme të shkollave, përfshirë Niger, Kebbi, Katsina, Yobe dhe Kwara. Në Kebbi u rrëmbyen 25 nxënëse të tjera vetëm dy ditë më parë, ndërsa në Kwara 38 persona të rrëmbyer nga një ceremoni fetare u liruan të dielën.
Për shkak të sulmeve të njëpasnjëshme, presidenti Bola Tinubu urdhëroi rekrutimin urgjent të 30 mijë policëve të rinj dhe zhvendosjen e qindra oficerëve nga shërbimet e VIP-ve drejt zonave të rrezikuara.
Raporte të fundit të Bashkimit Europian tregojnë se rreth një e katërta e forcës policore të Nigerisë është angazhuar në mbrojtjen e figurave politike, çka ka lënë zbuluar komunitetet në zonat me rrezik të lartë.
Familjet në fshatin Papiri kërkojnë ndërhyrje më të fuqishme të forcave të sigurisë, duke thënë se janë ndjerë të braktisur, pasi asnjë njësi ushtarake nuk është vendosur për t’i mbrojtur pas sulmit.
Ndërkohë, Papa Leo XIV ka shprehur trishtimin e tij të thellë dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të pengjeve.
Në veri të Nigerisë, rrëmbimet për shpërblim nga bandat e armatosura kanë marrë përmasa të frikshme gjatë viteve të fundit. Ligji që ndalon pagesën e shpërblimeve nuk ka arritur të frenojë bandat, të cilat vazhdojnë të synojnë shkollat, komunitetet rurale dhe vendet e grumbullimit.
Ndërhyrja e forcave të armatosura, policisë dhe grupeve vullnetare lokale vijon në zonat pyjore për të gjurmuar rrugët e arratisjes që besohet se kanë përdorur rrëmbyesit.
