
Incidenti me anijen Elbus pranë brigjeve turke rrit tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit
Një tjetër incident i rëndë është shënuar në Detin e Zi, ku një cisternë nafte e dyshuar si pjesë e flotës hije të Rusisë është goditur nga ajo që raportohet të ketë qenë një dron. Bëhet fjalë për cisternën Elbus, me flamur të Palaut, e cila është parë me tym që dilte nga kuverta rreth 30 milje larg brigjeve të Turqisë.
Sipas raportimeve, anija, e njohur deri vitin e kaluar me emrin Euroleader, ka lëshuar një sinjal emergjence dhe më pas ka ndryshuar papritur kurs, duke u drejtuar drejt ujërave territoriale turke. Roja bregdetare e Turqisë ka ndërhyrë duke e rimorkiuar cisternën drejt portit të İnebolut, ku po kryhen inspektimet për dëmet e shkaktuara.
Cisterna ishte nisur drejt portit rus të Novorossiysk, me qëllim ngarkimin e naftës bruto. Sipas autoriteteve, nuk raportohet për të lënduar mes anëtarëve të ekuipazhit.
Ky është një tjetër episod që shton tensionet në rajon dhe rrit shqetësimet ndërkombëtare për një përshkallëzim më të gjerë të konfliktit, në një kohë kur flota hije e Rusisë, e lidhur me politikat energjetike të Vladimir Putinit, është gjithnjë e më shpesh në qendër të incidenteve dhe dyshimeve për sulme të qëllimshme.
