
Ish-politikani konservator rikthehet fuqishëm në skenën publike me një peticion për referendum mbi emigracionin që ka mbledhur mbi 2 milionë firma dhe me librin e tij të ri “Populicide” që pritet të bëhet bestseller
Philippe de Villiers, ish-deputet dhe figurë e njohur e politikës konservatore franceze, po përjeton një rikthim të papritur në qendër të debatit kombëtar. Pasi për vite me radhë u konsiderua si një politikan me karrierë të papërfunduar, sot ai po shfaqet si një nga zërat më të fortë kritikë të elitës politike franceze.
Peticioni i tij për organizimin e një referendumi mbi emigracionin ka arritur të mbledhë më shumë se 2 milionë nënshkrime, një shifër që ka befasuar edhe kundërshtarët e tij. Në të njëjtën kohë, libri i tij më i ri, “Populicide”, është në rrugë për t’u shndërruar në një sukses letrar, duke tërhequr vëmendjen e publikut dhe mediave.
De Villiers, i njohur edhe si krijues i parkut historik Puy du Fou, ka ndërtuar ndër vite një profil të veçantë: kombëtarist, tradicionalist dhe kritik i globalizmit. Për shumë francezë, ai shihet si “profeti” i paralajmërimeve për krizën e identitetit kombëtar dhe rreziqet e emigracionit masiv. Sot, pas zhvillimeve politike dhe sociale në Francë, ai duket se ka fituar një lloj legjitimiteti të ri.
Në mbrëmjet publike, ai pritet me entuziazëm nga qytetarë të thjeshtë që e shohin si simbol të një France që ende mund të ringrihet. Gazetarët francezë raportojnë se figura e tij po fiton popullaritet sidomos mes atyre që ndihen të zhgënjyer nga politika tradicionale.
Megjithatë, kritikët e akuzojnë se po luan me emocionet e publikut dhe po ushqen retorikën populiste. Për ta, rikthimi i de Villiers nuk është gjë tjetër veçse një nostalgji e rrezikshme për një të kaluar idealizuar.
Një gjë është e qartë: Philippe de Villiers ka rikthyer veten në skenën politike franceze, duke e kthyer emigracionin në temën kryesore të debatit dhe duke i dhënë tonet e para një vjeshte të nxehtë politike në Francë.