Shtatë sondazhe të porositura në fshehtësi zbulojnë krizë të thellë në bazën socialiste dhe frikën e Ramës nga një kolaps elektoral në kryeqytet
Në Tiranë, mazhoranca e Edi Ramës po përballet me shifrat më të ulëta të 13 viteve të fundit. Sondazhet e brendshme flasin për rënie mbi 10%, rritje të të pavendosurve dhe terren të favorizuar për Arlind Qorin. Kriza në struktura dhe lufta e brendshme në PS kanë kthyer fushatën në një garë për mbijetesë politike.
Në Tiranë, Partia Socialiste po përballet me një situatë të pazakontë. Shtatë sondazhe të porositura në dy javët e fundit nga vetë Edi Rama tregojnë një rënie të thellë të mazhorancës në kryeqytet. Kandidatja Ogerta Manastirliu rezulton me kuota minimale, ndërsa diferenca me zgjedhjet e fundit shkon deri në 10 pikë përqindje.
Dy sondazhe të realizuara nga kompani ndërkombëtare e japin PS-në në pikiatë të lirë, ndërsa Arlind Qori dhe grupi i të pavendosurve janë në rritje të ndjeshme. Vetë Rama, i alarmuar, ka kërkuar nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt që të “zbusin” rezultatet, por edhe sondazhet pranë selisë rozë konfirmojnë rënien e lirë të partisë.

Në terren, situata është edhe më e tensionuar. Strukturat socialiste në Tiranë raportojnë mungesë motivimi, përçarje dhe mosbesim. Shumë drejtues lokalë janë zëvendësuar nga njerëz të ardhur nga Partia Demokratike, ndërsa besnikët e Erion Veliajt janë spastruar. Deputetët janë të përçarë dhe zhvillojnë takime të ndara, duke krijuar përshtypjen e një partie që ka humbur qendrën e gravitetit politik.
Burime nga brenda PS-së konfirmojnë se Rama po përjeton fazën më paranojake të pushtetit të tij. Në çdo njësi zgjedhore shihen grupime rivale që nuk bashkëpunojnë. Deputetët e vjetër si Erion Braçe kanë shfaqur hapur pakënaqësinë, sidomos ndaj ndërhyrjeve të Taulant Ballës dhe Niko Peleshi, që po kërkojnë të imponojnë kontroll mbi terrenin.
Ndërkohë, kandidatja Manastirliu është lënë pothuajse e vetme në fushatë. Asnjë figurë qendrore e qeverisë nuk e shoqëron, përveç ministrit të Financave, i cili nuk ka lidhje me Tiranën. Rama vetë ka zgjedhur të qëndrojë në distancë, nga frika se një përfshirje e drejtpërdrejtë mund ta ekspozojë ndaj një “goditjeje nga lart” në momentin e fundit.
Përplasja e brendshme është reflektuar në humbjen e kontrollit politik të terrenit. Njësitë 5 dhe 7, dikur bastione të PS-së, janë sot zonat më të rrezikuara. Prishjet masive që qeveria ndërmori gjatë verës kundër bizneseve të vogla, bareve dhe restoranteve në Tiranë, janë kthyer në bumerang elektoral. Të gjithë të prekurit pritet të votojnë kundër.
Në këtë panoramë, përgjegjësia politike bie drejtpërdrejtë mbi Edi Ramën, i cili e krijoi vetë krizën që po e gllabëron. Tentativa për të izoluar Erion Veliajn dhe për të krijuar alibi politike, duket se është kthyer në kurth për vetë Ramën. Gropa që hapi për të tjerët, po e gëlltit vetë./Pamfleti
