
Ngjarja ndodhi në Lagjen e Re, Fabion Kuçi ndodhet në spital ndërsa autoritetet vijojnë kërkimet për arrestimin e të dyshuarit
Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit, ku është plagosur një nga personazhet më të njohur të rrjetit social TikTok. Bëhet fjalë për Fabion Kuçin, i njohur me pseudonimin Gucci, i cili u qëllua në lagjen nr. 9 të qytetit, e njohur edhe si Lagjja e Re.
Sipas informacioneve zyrtare nga Policia e Durrësit, autori i dyshuar i plagosjes është identifikuar dhe strukturat policore janë angazhuar për kapjen e tij. Rrethanat e ngjarjes po hetohen, ndërsa ende nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi motivet që çuan në konflikt.
I plagosuri është transportuar menjëherë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Burime spitalore bëjnë me dije se ai ka marrë asistencën e nevojshme mjekësore, ndërsa gjendja e tij shëndetësore po monitorohet.
Fabion Kuçi ka qenë më herët i dënuar në Mbretërinë e Bashkuar për vepra të ndryshme penale, duke vuajtur disa vite burg. Prej disa muajsh ai ishte rikthyer në Shqipëri dhe ishte bërë mjaft aktiv në TikTok, ku shpeshherë tërhiqte vëmendje për debatet dhe përplasjet e forta me figura të tjera të rrjetit social, mes tyre Kozak Braçi dhe Xhemal Ujka, i njohur si Fire.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe pritet që në orët në vijim të ketë informacione të reja lidhur me arrestimin e autorit dhe motivet e plagosjes.
