
Një i mitur ndodhet në gjendje kritike, ndërsa grupet e adoleshentëve janë përplasur jashtë shkollës me mjete të forta dhe armë të ftohta.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Durrësit, ku një përplasje mes gjimnazistëve është kthyer në dhunë të rrezikshme dhe ka lënë të plagosur rëndë një të mitur. Ngjarja ka ndodhur pas mbarimit të mësimit dhe përfshin nxënës të gjimnazit Dom Nikoll Kaçorri.
Sipas informacionit paraprak, konflikti ka nisur nga një koment në rrjetet sociale, i cili më pas ka sjellë tensione mes dy adoleshentëve edhe brenda ambjenteve të shkollës. Përplasja verbale i ka shtyrë ata të lënë një takim jashtë shkollës për të sqaruar konfliktin, por takimi është shndërruar në një përleshje të ashpër.
Të dy gjimnazistët kanë mbërritur në vendin e takimit të shoqëruar nga tre deri në katër shokë secili. Ajo që filloi si debat është përshkallëzuar në dhunë masive, ku janë përdorur mjete të forta, shkopinj bejsbolli dhe armë të ftohta. I mituri i plagosur është goditur disa herë me thikë dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën për shkak të humbjes së madhe të gjakut.
Drejtoresha e shkollës ka thënë se nuk mund të japë deklarata, pasi çështja është nën hetim, ndërsa thekson se incidenti ka ndodhur jashtë institucionit. Burime të brendshme konfirmojnë se një ditë më parë nxënësit kanë qenë normalisht në mësim.
Policia po punon për identifikimin e plotë të të përfshirëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes, ndërsa situata ka ngritur shqetësim të madh për dhunën në rritje mes të rinjve.
