
I riu akuzohet për plagosje të rëndë me dashje pas një konflikti për motive të dobëta në zonën e Plazhit
Një 32-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ekstraduar sot nga Greqia drejt Shqipërisë, për t’u përballur me drejtësinë lidhur me një ngjarje të rëndë të ndodhur në Durrës.
Sipas Policisë së Shtetit, bëhet fjalë për shtetasin Ardit Miha, i lindur në Bulqizë, i cili akuzohet se ka plagosur disa herë me thikë një person gjatë një konflikti për motive të dobëta në lagjen nr. 13 të qytetit të Durrësit.
Ekstradimi u realizua në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve greke në Athinë. 32-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Durrësit i kishte caktuar në vitin 2024 masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje”.
Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 6 tetorit 2022, kur i dyshuari ka goditur disa herë me mjet prerës shtetasin B. F., duke i shkaktuar dëmtime të rënda trupore.
Pas ekstradimit, i arrestuari do të vihet në dispozicion të autoriteteve shqiptare për vijimin e procedurave ligjore.
