
Shtetet e Bashkuara paraqesin një dokument me 28 pika që parashikon që Kievi t’i lëshojë Rusisë Donetskun dhe Luhanskun, të zvogëlojë ushtrinë dhe të pranojë mosanëtarësimin në NATO.
Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur një plan të ri për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, i cili parashikon lëshime të mëdha nga ana e Kievit, përfshirë dorëzimin e rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut, një reduktim të ushtrisë dhe garanci të reja sigurie që nuk specifikohen qartë. Dokumenti me 28 pika, i publikuar nga Financial Times dhe AFP, është përgatitur nga emisari amerikan Steve Witkoff dhe sekretari i shtetit Marco Rubio.
Sipas planit, Rusia do të rikthehej në G8 dhe do të integrohej gradualisht në ekonominë globale, ndërsa Ukraina do të merrte mbështetje financiare për rindërtim dhe do të konsiderohej kandidate për Bashkimin Europian. Megjithatë, plani kërkon që Ukraina të heqë përfundimisht dorë nga anëtarësimi në NATO dhe të kufizojë forcat e saj të armatosura në 600 mijë trupa.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur se do ta diskutojë dokumentin me presidentin amerikan gjatë ditëve në vijim, duke theksuar se Ukraina ka nevojë për një paqe që respekton sovranitetin dhe dinjitetin e saj.
Plani parashikon gjithashtu njohjen de facto të Krimesë, Luhanskut dhe Donetskut si territor rus, ngrirjen e zonave të Khersonit dhe Zaporizhias përgjatë vijës aktuale të frontit, si dhe një mekanizëm të ri për shkëmbimin e të burgosurve dhe kthimin e të zhdukurve.
Propozimi ka shkaktuar reagime të forta në Europë, ku shumë vende e shohin si një formë kapitullimi ndaj Moskës. Ndërkohë, Rusia dhe SHBA do të krijonin një grup të përbashkët sigurie dhe do të zgjatnin marrëveshjet për kontrollin bërthamor.
Sipas dokumentit, zbatimi i marrëveshjes do të mbikëqyret nga një këshill paqeje i drejtuar nga presidenti Donald Tramp, ndërsa çdo shkelje do të sillte sanksione automatike.
