
Ekspertët paralajmërojnë se propozimi i mbështetur nga Netanyahu i jep të gjitha garancitë Izraelit, ndërsa palestinezët mbeten pa zë në tryezë
Plani 20-pikësh i presidentit amerikan Donald Trump për armëpushim në Gaza, i pranuar publikisht nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyah, është pritur me skepticizëm nga analistët. Sipas tyre, dokumenti nuk përmban asnjë garanci për palestinezët, ndërsa të gjithë sigurinë e ofron për Izraelin.
Palestinezët në terren do të ndienin lehtësim nga ndalimi i bombardimeve, që deri më tani kanë shkaktuar mbi 66 mijë viktima dhe mbi 168 mijë të plagosur që prej tetorit 2023. Por plani i Trump, i cili parashikon dorëzimin e Gazës te një Bord Paqeje të udhëhequr prej tij dhe mbështetur nga figura ndërkombëtare si Tony Blair, shihet si një proces që përjashton plotësisht zërin palestinez.
Juristja Diana Buttu e cilësoi dokumentin si një heqje të çdo zëri palestinez, duke thënë se kjo është më keq se Oslo, të paktën atëherë kishim një vend në tryezë. Edhe pse disa shtete perëndimore kanë njohur së fundi shtetin e Palestinës, realiteti në terren tregon copëtimin e mëtejshëm të territoreve nga Izraeli përmes kolonive, dhunës dhe konfiskimeve të tokës.
Netanyahu ka theksuar hapur se nuk do të ketë shtet palestinez, duke firmosur projekte të reja ndërtimi kolonësh vetëm një ditë para se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të votonte për një rezolutë pro zgjidhjes me dy shtete. Në këtë kontekst, analistët e shohin planin e Trump si një rrugë të pasigurt dhe të rrezikshme që mund të çojë vetëm në thellimin e krizës.