
Nga arsimi dhe shoqatat fetare te lobimi institucional, një rrjet i mirëorganizuar që kërkon të ndikojë në kulturën dhe politikat perëndimore, pa përdorur dhunë.
Studiuesja Florence Bergeaud-Blackler paralajmëron për strategjinë e re të Vëllezërve Myslimanë, një lëvizje e themeluar në vitin 1928 në Egjipt nga Hassan al-Banna, e cila sot ka shtrirë ndikimin e saj në mbarë Evropën. Në vend të dhunës apo përplasjes direkte me sistemet demokratike perëndimore, grupi ndjek një taktikë më të sofistikuar: islamizimin e shoqërive nga brenda, përmes edukimit, ndikimit social dhe lobimit politik.
Sipas autores, Vëllezërit Myslimanë lindën si një organizatë predikimi dhe moralizimi fetar në Egjipt, me qëllimin për ta riaislamizuar shoqërinë egjiptiane pas rënies së kalifatit osman. Por shumë shpejt, lëvizja u shndërrua në një strukturë politike dhe ideologjike që synon ngritjen e një rendi shoqëror të bazuar mbi ligjin islam sheriatine
Pas valëve të emigracionit mysliman drejt kontinentit europian në vitet 1960-1980, lëvizja gjeti terren të përshtatshëm për veprim. Përmes organizatave kulturore, qendrave fetare, fondacioneve humanitare dhe rrjeteve të edukimit, Vëllezërit Myslimanë u vendosën në Francë, Gjermani, Zvicër dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke ndërtuar një strukturë të dendur ndikimi nën maskën e integrimit social dhe fetar.
Në Francë, sipas Bergeaud-Blackler, ky ndikim është i dukshëm në universitete, në disa qendra islame dhe në organizata që mbështeten financiarisht nga shtete të huaja me interesa ideologjike.
Studiuesja thekson se qëllimi nuk është përballja e drejtpërdrejtë me Perëndimin, por ndryshimi gradual i kulturës dhe institucioneve të tij, përmes diskursit të të drejtave fetare, të lirisë së shprehjes dhe të diversitetit kulturor. Ky proces quhet “islamizimi nëpërmjet normalizimit”: bërja e vlerave dhe praktikave islamike të pranueshme në hapësirën publike, derisa të krijohet një realitet i ri social dhe politik.
Në nivelet më të larta, rrjeti vepron përmes qendrave të mendimit, forumeve ndërfetare dhe platformave të lobimit, që ndërveprojnë me institucionet evropiane dhe organizatat ndërkombëtare. Këto struktura, sipas autores, punojnë për të promovuar ideologjinë e lëvizjes nën etiketa të moderuara si tolerancë, dialog kulturash apo përfshirje fetare.
Artikulli përfundon me paralajmërimin se sfida nuk është terrorizmi i hapur, por rrënjosja e një ideologjie që kërkon të transformojë identitetin perëndimor në heshtje. “Nuk është një pushtim me armë, por një ndryshim kulturor i qetë, por i thellë”, shkruan Bergeaud-Blackler, duke e cilësuar këtë fenomen si një nga çështjet më të rëndësishme të sigurisë kulturore dhe politike të shekullit XXI.