Procesi për 15 të pandehur përballet me tensione mes mbrojtjes dhe trupës gjykuese, kërkesa të shumta për dëshmitarë dhe mungesë avokatësh, ndërsa gjykata përpiqet të ruajë vijueshmërinë e seancave.
Procesi gjyqësor i njohur si “Plumbi i Artë”, ku akuzohen 15 persona për një seri veprash penale, po përballet me vonesa të shumta dhe pengesa gjatë zhvillimit të hetimit gjyqësor.
Gjatë seancave të fundit, tensionet mes mbrojtjes dhe trupës gjykuese janë evidentuar sërish, duke komplikuar më tej rrjedhën e procesit.
Në seancën e fundit, avokatët e të pandehurve rikthyen për herë të dytë kërkesat për përjashtimin e trupës gjykuese.Avokati Gentjan Rumano argumentoi se vendimet ndërmjetëse të gjykatës ishin të njëanshme dhe nuk bazoheshin në ligj, duke paralajmëruar se do të dorëzonte kërkesën me shkrim. Ky veprim pason një episod të ngjashëm në korrik, kur avokatja Elda Zotaj kishte kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupës, gjyqtares Engjëllushe Tahiraj, për vendimmarrje të njëanshme pa konsultim me dy anëtarët e tjerë të gjykatës.Aktualisht, procesi gjyqësor është në fazën e marrjes në pyetje të bashkëpunëtorëve të drejtësisë nga mbrojtësit ligjorë të të pandehurve të tjerë. Në seancën e fundit, mbrojtja kërkoi rivendosjen e pyetjeve ndaj bashkëpunëtorit Erion Alibej, pas ndërprerjes së tyre nga gjykata, me argumentin se njëri prej të pandehurve, Altin Ndoci, dhe avokatja e tij nuk ishin të pranishëm.
