Një paciente me kancer gjinekologjik rrëfen mes lotësh mungesën e trajtimit në Shqipëri dhe detyrimin për të kërkuar kredi për mjekim jashtë vendit.
Një grua shqiptare e prekur nga kanceri gjinekologjik ka treguar historinë e saj tronditëse për kamerat e Top Channel, duke denoncuar mungesën e shërbimeve të specializuara në vend dhe indiferencën institucionale ndaj pacientëve onkologjikë.
E lodhur nga vuajtjet dhe shpenzimet, ajo shprehet se nuk ka arritur të kryejë asnjë seancë brakiterapie, një nga trajtimet jetike për këtë sëmundje. “Kam pyetur kudo, por askund nuk më është ofruar. Në Turqi më kanë kërkuar 4 mijë euro për një trajtim, ndërsa disa shoqe të mia kanë paguar deri në 6 mijë. Ku t’i gjej unë këto lekë?” – rrëfen ajo me lot në sy.
Gruaja tregon se, e pamundur për të përballuar shpenzimet, është detyruar të drejtohet në bankë për të kërkuar një kredi, vetëm që të mos e ndërpresë trajtimin. “Për vite të tëra kam paguar kontributet në shtet. Pse duhet të shkoj jashtë vendit për t’u kuruar? Po kur mjeku më thotë ‘duhet të bësh këtë trajtim që kushton’, çfarë duhet të bëj? Të mendoj ku t’i gjej lekët apo të shpresoj tek Zoti?”, thotë ajo me dhimbje.
Prej më shumë se një muaji e gjysmë, pacientja thotë se po pret më kot për t’u trajtuar, ndërsa shpresa për ndihmë zyrtare po shuhet dita-ditës. “Unë nuk kërkoj mëshirë, kërkoj vetëm trajtimin që më takon si qytetare e këtij vendi”, mbyll ajo dëshminë e saj.
