
Tre shtetase kolumbiane arrestohen në flagrancë, procedohet penalisht edhe pronarja e njërit prej apartamenteve.
Pas disa javësh hetime të kryera me metoda proaktive, Policia e Elbasanit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Transit”, duke goditur një aktivitet të paligjshëm prostitucioni që ushtrohej në dy apartamente në qytet.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Si rezultat i ndërhyrjes policore, u arrestuan në flagrancë tre shtetase kolumbiane, të cilat ushtronin prostitucion në dy ambiente të ndryshme banimi. Sipas hetimeve, ato kontaktonin klientët përmes faqeve në internet.
Të arrestuarat janë një 20-vjeçare, një 18-vjeçare dhe një 34-vjeçare, të gjitha shtetase kolumbiane, të dyshuara për veprën penale prostitucioni.
Gjithashtu, është proceduar penalisht në gjendje të lirë një 34-vjeçare, pronare e njërit prej apartamenteve ku zhvillohej aktiviteti i paligjshëm, e dyshuar për veprën penale mbajtja e ambienteve për prostitucion.
Gjatë kontrolleve në ambientet e ushtrimit të prostitucionit, policia sekuestroi shuma parash në valuta të ndryshme, të dyshuara si të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme, si dhe celularë dhe dokumente identifikimi.
Policia bën me dije se, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
