
Një ditë pas përplasjes me minatorët protestues të Spaçit, policia e Mirditës njoftoi të martën se po ndiqte penalisht nëntë prej tyre për veprat penale të pengimit të qarkullimit dhe kundërshtimit të punonjësve të policisë. Për ndjekje penale është referuar në prokurori edhe një përfaqësues i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, e cila po mbështet protestën.
Edhe pse po ushtronin të drejtën e tyre të protestës, minatorët u mbajtën për 6 orë të izoluar në komisariatin e Mirditës të hënën. Të martën në mëngjes, ata u mblodhën sërish në shenjë proteste në hyrjen kryesore të minierës.“Ne ishin duke protestuar, siç po bëjmë prej datës 8 tetor pranë hyrjes kryesore të kompanisë. Policia erdhi dhe ndërhyri forcërisht pa asnjë shkak,” tha Albert Bushpreni, drejtues i protestës.“Na morën na çuan në komisariat dhe disa prej nesh kanë pësuar edhe fraktura nga dhuna policore. Nuk më duket normale që në një shtet demokratik të veprohet në këtë mënyrë, vetem se ne po kërkojmë të drejtat tona,” shtoi ai.Rreth 70 minatorë të minierës së Spaçit në Mirditë kanë ndërprerë punën dhe janë ngritur në protestë që prej datës 8 tetor, duke kërkuar njohjen e sindikatës dhe nënshkrimin e kontratës kolektive të punës, e cila, sipas tyre, do të garantonte të drejtat dhe sigurinë në vendin e punës.
Por kompania “TETE Albania”, e cila menaxhon minierën e Spaçit, nuk i ka pranuar deri më tani kërkesat e minatorëve.Në një njoftim për mediat të shpërndarë të martën, kompania “Tete Albania” deklaroi se ishte pro dialogut me minatorët, por akuzoi Konfederatën se po pengonte punën në minierë dhe se nuk kishte paraqitur dokumentacion të plotë ligjor.“Shoqëria ‘TETE Albania’ mbetet e gatshme për dialog konstruktiv dhe social, sapo të paraqitet dokumentacioni i plotë ligjor dhe të respektohen procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi”, deklaroi kompania.