Policia e Shtetit ka publikuar një plan masash me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve të Shqipërisë dhe Anglisë, që do të zhvillohet më datë 16 nëntor, në orën 18:00, në stadiumin “Air Albania”.
Në këtë kuadër janë marrë masa për shoqërimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të Anglisë, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;
-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;
-Kryerja e kontrolleve të hollësishme në mjediset e stadiumit për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët;
-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;
-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.
Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, konkretisht me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe UEFA-n, Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, Shërbimin Zjarrfikës, Shoqëritë private të sigurisë (stjuardët dhe personeli i sigurisë), Spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.
