
Postblloqe në disa qytete dhe kontrolle ndaj mjeteve të dyshuara, ndërsa hetuesit po rindërtojnë itinerarin e autorëve që u larguan me një Audi të zi drejt Librazhdit.
Operacioni policor për zbardhjen e ekzekutimit të biznesmenit Edmond Hyka, i njohur si Mondi Mahalla, ka çuar deri tani në shoqërimin e dhjetë personave në Elbasan. Forcat e rendit kanë ngritur mbi katër postblloqe në Korçë, Pogradec dhe Devoll, ndërsa janë dhënë urdhra për kontroll rutinë të mjeteve tip Audi të zi, të cilat dyshohet se mund të jenë përdorur nga autorët në arratisje.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, më 30 nëntor, kur 43-vjeçari u qëllua për vdekje brenda automjetit të tij Range Rover në lagjen Emin Matraxhiu. Ai u godit me tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, sapo kishte lënë zyrën pranë shtëpisë së nënës së tij.
Menjëherë pas alarmit, policia bllokoi të gjitha daljet e qytetit dhe kreu kontrolle intensive në zona të ndryshme. Të dhënat paraprake sugjerojnë se autorët janë larguar me një Audi të zi në drejtim të aksit Elbasan–Librazhd.
Njësiti hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin e personave të përfshirë dhe zbërthimin e motiveve të mundshme të atentatit, ndërsa kontrollet për persona me armë pa leje apo mjete të ndaluara vijojnë në të gjithë qarkun.
