
Faza e dytë e operacionit anti-drogë çon në pranga tre persona dhe sekuestrimin e 4 automjeteve e 5 celularëve; hetimet zbulojnë rrjet të organizuar kultivuesish në zonë.
Policia e Lezhës ka zhvilluar fazën e dytë të operacionit të koduar “Processing”, duke goditur një tjetër bazë të prodhimit dhe përpunimit të lëndëve narkotike në zonën e Mirditës. Në këtë fazë janë arrestuar tre persona; dy prej tyre vëllezër, të cilët akuzohen për kultivim dhe prodhim droge me qëllim tregtimin.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga kanë rënë Akil Reçi, Martin Zefi dhe Erjon Zefi, të gjithë banues në Mirditë. Gjatë kontrollit të ushtruar afër një banese të braktisur në fshatin Shëngjergj, policia gjeti rreth 40 kilogramë lëndë të dyshuar kanabis sativa në proces tharjeje, si dhe 4 automjete e 5 telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për koordinimin e aktivitetit kriminal.
Hetimet zbuluan se tre të arrestuarit kanë bashkëpunuar me dy persona të tjerë, të ndaluar një javë më parë gjatë fazës së parë të operacionit, ku u sekuestruan 33.7 kilogramë kanabis dhe u asgjësuan 220 bimë narkotike të kultivuara në fshatin Shtuf.
Policia ka bërë të ditur se operacioni “Processing” vijon për të identifikuar dhe kapur persona të tjerë të përfshirë në rrjetin e kultivimit dhe përpunimit të drogës në Mirditë. Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Lezhës për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Prodhimit e shitjes së narkotikëve”, të kryera në bashkëpunim.