

Një zbulim i rrallë arkeologjik në kështjellën Kolno të Polonisë, ka hedhur dritë mbi jetën e elitave mesjetare. Arkeologët e Universitetit të Wrocław gjetën në hendekët e mbushur me baltë një ametist të punuar me argjend të praruar, i humbur rreth 600 vjet më parë, ndoshta nga një aristokrat.
Sipas drejtuesit të gërmimeve, Lech Marek, objekti ka qenë pjesë e një broshi ose diademe. Zbulimi është i veçantë, pasi ndodhi në një kontekst të përditshëm, jo në një varr apo thesar.
Analizat shkencore konfirmuan se bëhej fjalë për ametist, ndërsa metali ishte argjend i praruar me zjarr, një teknikë e sofistikuar e kohës. Që nga viti 2010, në këtë kështjellë janë gjetur edhe armë, qeramika dhe objekte kalorësie.
Në Mesjetë, gurët e çmuar kishin edhe fuqi simbolike e mistike. Ametisti besohej se mbronte nga helmimi, tradhtia dhe magjitë, ndërsa në ikonografinë e krishterë, lidhej me besimin dhe përulësinë.
Studiuesit janë të bindur se stolia i përkiste një anëtari të aristokracisë së lartë. Ky zbulim, i publikuar në revistën Antiquity, rrëfen jo vetëm mjeshtërinë artizanale, por edhe botën shpirtërore të elitave mesjetare evropiane.