
Përballë kërcënimit rus, Europa ndahet mes investimeve reale në mbrojtje dhe qëndrimeve simbolike
Në vijim të paralajmërimeve të NATO-s për një përshkallëzim të mundshëm të kërcënimit rus, dallimet mes shteteve europiane po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Polonia, Gjermania dhe vendet Baltike kanë nisur rritje të ndjeshme të buxheteve të mbrojtjes dhe investime konkrete ushtarake, ndërsa Britania e Madhe, Franca dhe disa aleatë të tjerë kufizohen kryesisht në deklarata politike dhe plane afatgjata.
Polonia kryeson listën e vendeve që po përgatiten realisht për skenarë konflikti, me shpenzime ushtarake që kalojnë 4.7 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe me synim rritje të mëtejshme. Vendet Baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania, kanë ndjekur të njëjtën linjë, duke e konsideruar sigurinë kombëtare prioritet absolut përballë agresionit rus.
Gjermania, pas vitesh kritike për mungesë angazhimi në fushën e mbrojtjes, ka ndryshuar qasje, duke planifikuar rritje graduale të shpenzimeve dhe modernizim të forcave të saj ushtarake, në përputhje me objektivat e reja të NATO-s.
Në krahun tjetër, Britania dhe Franca, pavarësisht rolit të tyre si fuqi të mëdha europiane, po ecin me ritme më të ngadalta në rritjen e buxheteve të mbrojtjes, duke mos përmbushur ende standardet e reja të aleancës. Edhe vende si Spanja dhe Italia kanë shpallur plane që konsiderohen të pamjaftueshme nga analistët e sigurisë.
Ky kontrast mes Europës Lindore dhe Perëndimore tregon një ndarje të qartë në mënyrën se si perceptohet rreziku rus dhe se sa seriozisht po përgatiten shtetet për një përballje të mundshme, duke ngritur pikëpyetje mbi unitetin dhe efektivitetin afatgjatë të NATO-s.
