

Mbyllja e hapësirës ajrore nga Polonia dhe incidentet me dronë në Danimarkë e Norvegji, shtojnë frikën e përhapjes së konfliktit në Europë
Polonia ka mbyllur përkohësisht një pjesë të hapësirës së saj ajrore në juglindje të Varshavës, pas asaj që autoritetet e quajtën aktivitet ushtarak të paplanifikuar. Vendimi erdhi në të njëjtën kohë me një valë të re sulmesh ruse kundër Ukrainës, që shkaktuan ngritjen në alarm të forcave të armatosura polake dhe aleate.
Sipas ushtrisë polake, avionët e saj, së bashku me ata të NATO-s, u ngritën në ajër për të siguruar mbrojtjen e hapësirës ajrore dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Kufizimi i fluturimeve preku qytetet Lublin dhe Rzeszow dhe zgjati deri në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Situata vjen ndërsa NATO njoftoi se do të forcojë praninë e saj në Detin Baltik, duke vendosur një fregatë me mbrojtje ajrore dhe mjete të tjera të mbikëqyrjes e zbulimit. Ky vendim pason raportimet e Danimarkës për shkelje me dron pranë bazave ushtarake dhe hetimet e Norvegjisë për dy incidente të ngjashme.
Ngjarjet kanë rritur ndjeshëm tensionet në rajon, në një kohë kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës duken të bllokuara.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, paralajmëroi se çdo provokim ndaj Moskës do të marrë një përgjigje vendimtare. Ndërkohë, ai këmbënguli se Rusia nuk ka plane për të sulmuar Perëndimin, por është e përgatitur të reagojë, nëse ndihet e kërcënuar.