Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë brenda burgut të sigurisë së lartë të Koridallos në Greqi, ku një i burgosur shqiptar 49-vjeçar është vrarë me thikë nga një bashkëvuajtës dënimi.
Viktima është Jani Alia, i njohur edhe me nofkën “Xheku”, i dënuar me burgim të përjetshëm në Shqipëri për vrasje.
Autori i dyshuar i krimit është një shtetas grek 28-vjeçar, i cili e ka goditur Alian me një thikë të improvizuar, duke i shkaktuar dy plagë fatale në qafë.
Ngjarja ka ndodhur në Krahun e 3-të të burgut, në rrethana që mbeten ende të paqarta.
Sipas mediave greke dhe burimeve hetimore, ekzistojnë dyshime të forta se vrasja është kryer me porosi, si pjesë e një “kontrate vdekjeje” me porosi nga një bos shqiptar i drogës.
Hetimet po kryhen nga Siguria e Pireut, ndërsa pista kryesore lidhet me konfliktet mes bandave kriminale dhe trafikun e drogës, veçanërisht për kontrollin e territoreve në Athinë.
Jani Alia kishte një të kaluar të rëndë kriminale. Në vitin 2000, në Tepelenë, ai vrau me thikë një 20-vjeçar, ngjarje që ndezi një zinxhir hakmarrjesh.
Në vitin 2016, Alia ekzekutoi me armë zjarri Elton Çiçon në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, vrasje për të cilën u dënua me burgim të përjetshëm.
Ai ishte arrestuar në Athinë më 31 dhjetor 2024 për probleme të tjera ligjore me autoritetet greke.
Nga ana tjetër, profili i autorit të dyshuar është po ashtu i rëndë. 28-vjeçari grek akuzohet për dy vrasje: njëra e kryer disa muaj më parë në zonën e Agios Panteleimonas në Athinë, ku ekzekutoi me armë zjarri një shtetas shqiptar, dhe e dyta ajo e ndodhur sot në burgun e Koridallos.
Burime policore bëjnë me dije se viktima ishte liruar nga burgu disa javë më parë dhe ishte rikthyer sërish, fakt që mund të lidhet me motivin e vrasjes.
Autoritetet greke po hetojnë nëse pas ekzekutimit fshihet një porosi e ardhur nga rrjete kriminale shqiptare, të lidhura me prishje pazare drogë ose për dominim territoresh.
