

Rënia e aksioneve dhe paralajmërimet për fitimet detyrojnë Porsche të largohet nga DAX, duke rritur presionin mbi drejtuesin Oliver Blume.
Porsche, një nga simbolet e industrisë automobilistike gjermane dhe filial i grupit Volkswagen, është përjashtuar nga indeksi prestigjioz DAX në Bursën e Frankfurtit, ku renditen 40 kompanitë më të mëdha të Gjermanisë. Ky zhvillim shihet si një goditje e rëndë për markën luksoze, e cila vetëm tre vite më parë u listua me bujë në tregjet financiare.
Që prej vitit 2022, vlera e aksioneve të Porsche ka rënë me afro 50%, ndërsa vetëm gjatë vitit të fundit humbja ka qenë 37%. Javën e kaluar, kompania paralajmëroi një përkeqësim të rezultateve afatshkurtra dhe afatmesme, duke shkaktuar një tjetër rënie prej 7% në bursë, e cila përfshiu edhe aksionet e vetë Volkswagen.
Ky është një moment i vështirë për Oliver Blume, i cili drejton Porsche që prej vitit 2015 dhe mori drejtimin e Volkswagen në vitin 2022. Kritikat ndaj tij, se nuk mund të menaxhonte njëkohësisht dy kompani kaq të mëdha, po rikthehen me forcë, ndërsa humbjet financiare po rëndojnë mbi imazhin e grupit.