
Deklarata e fortë e Aleksandar Vuçiç ndez alarmin për një luftë botërore, ndërsa liderë si Viktor Orbán paralajmërojnë për gabime fatale të fuqive të mëdha.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka bërë një deklaratë tronditëse, duke paralajmëruar se e gjithë bota po përgatitet për luftë. Në një intervistë të publikuar nga gazeta Kurir, Vuçiç tha se përgatitjet masive që po bëjnë shtetet janë shenjë e qartë se një konflikt global është i pashmangshëm.
“Të gjithë po përgatiten për luftë. Dhe kur përgatiten për të, kjo do të thotë se ajo do të ndodhë. E them me siguri, sepse e shoh çfarë po ndodh dhe si po sillen të gjithë përreth nesh,” -deklaroi Vuçiç.
Sipas tij, tensionet ndërkombëtare kanë hyrë në një fazë kritike, ku vendet po pozicionohen hapur përkrah aleatëve të tyre përpara një përplasjeje të mundshme. “Secili shtet po zgjedh anën që do të mbajë,” -shtoi presidenti serb, duke nënvizuar se bota ndodhet në prag të një epoke të re pasigurie globale.
Deklaratat e Vuçiçit vijnë vetëm disa ditë pas paralajmërimit të kryeministrit hungarez Viktor Orbán, i cili po ashtu foli për rrezikun e një konflikti të përmasave botërore. Sipas tij, fuqitë e mëdha janë në prag të gabimeve fatale që mund të ndezin një përplasje të papërmbajtshme. Ai paralajmëroi: “Një luftë e tretë botërore mund të shpërthejë në çdo moment”
Orbán gjithashtu theksoi se situata aktuale gjeopolitike, nga tensionet në Lindjen e Mesme, te lufta në Ukrainë dhe rivalitetet e reja në Azi, ka krijuar një spiralë të rrezikshme që mund të çojë në një katastrofë globale.
Analistët ndërkombëtarë e shohin retorikën e fundit të liderëve ballkanikë si pasqyrim të shqetësimeve të përhapura në mbarë botën. Konfliktet e ngrira po ringjallen, aleancat ushtarake po forcohen dhe garat për armatime janë intensifikuar si kurrë më parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Në këtë klimë, deklarata e Vuçiç tingëllon si një paralajmërim për një realitet të frikshëm që shumë shtete mund të mos jenë më në gjendje ta shmangin.