
Nëpërmjet lidhjeve të fuqishme politike dhe rrjeteve të ndikimit që ndërthurin interesat private me ato gjeopolitike, Jared Kushner, dhëndri i Donald Tramp, ka marrë dritën jeshile nga autoritetet shqiptare për ndërtimin e një kompleksi turistik luksoz në ishullin e egër dhe të pabanuar të Sazanit, në brigjet e Adriatikut.
Sipas reportazhit të gazetarit Lucas Minisini për “Le Monde“, projekti i ri parashikon transformimin e ishullit historik, që ndodhet rreth 18 kilometra larg bregdetit shqiptar, në një destinacion ekskluziv për turizmin e klasit të lartë.
Aktualisht, Sazani mbetet pothuajse i braktisur: vetëm një bazë e vogël ushtarake dhe disa ushtarë shqiptarë ruajnë territorin, i mbushur me bunkerë të epokës komuniste, godina të rrënuara dhe paralajmërime për mina tokësore të mbetura që nga periudha e Luftës së Ftohtë. Dikur një pikë strategjike e bllokut lindor, ishulli ka kaluar nëpër duar të shumta përgjatë historisë; nga romakët, venedikasit dhe grekët, deri te pushtimi italian në kohën e Musolinit dhe periudha komuniste nën Enver Hoxhën.
Sot, megjithatë, ajo që tërheq vëmendjen nuk është historia ushtarake e Sazanit, por potenciali i tij turistik. Me pyje të dendura, ujëra të kaltër dhe plazhe të paprekura, ishulli shihet si një “perlë e Mesdheut” që mund të kthehet në simbol të investimeve të reja elitare në rajon.
Sipas “Le Monde“, vizitorë të huaj tashmë kanë filluar të ndalojnë për shkurt në ishull me anije turistike, por kushdo që kalon aty përballet ende me mbeturinat e së kaluarës ushtarake, vinça të ndryshkur, ndërtesa të braktisura dhe rrënoja që dëshmojnë për dekada izolimi.
Ky projekt i ri, i lidhur drejtpërdrejt me familjen Tramp përmes Jared Kushner, ngre shumë pyetje për trasparencën e marrëveshjes me qeverinë shqiptare, ndikimin mjedisor dhe mënyrën se si një zonë e mbrojtur natyrore do të shndërrohet në resort për miliarderët.
Në sfond, kritikët shohin një shembull tjetër të ndërthurjes së pushtetit politik, me biznesin familjar të Tramp, ndërsa mbështetësit e projektit e paraqesin si një mundësi të artë për zhvillimin e turizmit shqiptar dhe për promovimin e vendit në hartën e luksit mesdhetar.