
Duka i Sussex, Elton John dhe figura të tjera të njohura akuzojnë gazetën për përgjime, thyerje privatësie dhe marrje të të dhënave mjekësore për 30 vite.
Princi Harry është rikthyer sot në Gjykatën e Lartë në Londër, ku avokatët e tij morën pjesë në seancën përgatitore për gjyqin e janarit, një përballje ligjore që pritet të trazojë botën mediatike britanike.
Duka i Sussex, së bashku me këngëtarin Elton John dhe pesë personalitete të tjera të njohura, po padisin Associated Newspapers (ANL), botuesin e Daily Mail, duke akuzuar kompaninë për shkelje të rënda të privatësisë gjatë tre dekadave.
Paditësit pretendojnë se ANL ka kryer veprime të paligjshme, duke përfshirë:
– përgjime telefonike,
– vendosje pajisjesh dëgjimi në makina e banesa,
– regjistrim të bisedave private,
– marrje të të dhënave mjekësore përmes mashtrimit.
Sipas tyre, në skandal janë përfshirë edhe editorë të mediave britanike dhe drejtues të nivelit të lartë të industrisë së shtypit.
ANL i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i quajtur “të pabaza dhe sensacionale”.
Seanca e sotme, e drejtuar nga gjyqtari Nicklin, u fokusua në çështje procedurale para nisjes së procesit të plotë. Gjyqi pritet të tërheqë vëmendje të jashtëzakonshme, pasi mund të zbulojë praktika delikate të mediave britanike.
Që kur u largua nga jeta mbretërore në vitin 2020, Harry ka fituar disa beteja ligjore:
– padia ndaj Mirror Group Newspapers, të cilën e fitoi,
– një marrëveshje me grupin e Rupert Murdoch pas pranimit të shkeljeve, përfshirë ndërhyrjet në privatësinë e princeshës Diana.
Procesi i janarit pritet të jetë përballja e tij më e madhe deri sot me shtypin britanik.
