
Kate Middleton dhe Mbretëresha Camilla ndjekin homazhin nga ballkoni i Ministrisë së Jashtme, ndërsa princat dhe veteranët nderojnë të rënët
Princi William është rikthyer në detyrë publike këtë të diel, pasi u pa krah Mbretit Charles në ceremoninë tradicionale të Përkujtimit tek Cenotaph, në Whitehall të Londrës. I veshur me uniformën e Forcave Ajrore Mbretërore, ai qëndroi në heshtje dy minuta, duke ulur kokën në nderim për ata që dhanë jetën në shërbim të vendit.
Pjesëmarrja e tij erdhi një ditë pasi ai u kthye nga një vizitë zyrtare në Brazil, ku ishte angazhuar në çështje mjedisore. Ndërkohë, mungesa e tij në Festivalin e Përkujtimit një natë më parë u mbulua nga Princesha Kate, e cila mori pjesë së bashku me djalin e tyre, Princin George.
Sot, Kate Middleton ndoqi ceremoninë nga ballkoni i Ministrisë së Jashtme, e vendosur në krah të Mbretëreshës Camilla, ndërsa poshtë tyre mijëra qytetarë dhe veteranë kishin mbushur rrugën kryesore të kryeqytetit. Ngjyra e kuqe e luleve të kumbullës, simbol i përkujtimit në Britani, dallohej në shalla, kapela dhe uniforma ushtarake.
Rreth 10 mijë pjesëmarrës marshuan në nder të historisë ushtarake britanike, përfaqësues nga 341 shoqata dhe institucione. Ndër ta, edhe 20 veteranë të Luftës së Dytë Botërore, gjashtë prej të cilëve tashmë kanë mbushur 101 vjeç. Më i moshuari mes tyre, Arthur Osborne, mori pjesë me krenari, duke u bërë një simbol i gjallë i kujtesës dhe sakrificës.
Ceremonia e kësaj të diele është për britanikët një nga momentet më të rëndësishme të vitit, një ditë reflektimi kombëtar, ku kujtohen ata që nuk u kthyen më në shtëpi, dhe ku heshtja flet më shumë se çdo fjalë.
