
Tensione në bulevardin Dëshmorët e Kombit, policia raporton të arrestuar, të proceduar dhe efektivë të plagosur
Policia e Tiranës ka nisur procedim penal ndaj Adriatik Lapaj pas ngjarjeve të shënuara gjatë protestës së organizuar nga Shqipëria Bëhet në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë nr. 1 kanë arrestuar katër shtetas të dyshuar për përfshirje në akte dhune gjatë protestës, ndërsa disa persona të tjerë janë proceduar penalisht pasi akuzohen se kanë hedhur sende të forta në drejtim të punonjësve të policisë.
Si pasojë e përplasjeve, dy efektivë policie janë dëmtuar, me një prej tyre që vijon të marrë trajtim mjekësor në spital.
Autoritetet bëjnë me dije se procedimi penal ndaj Adriatik Lapajt dhe dy shtetasve të tjerë lidhet edhe me zaptimin e hapësirës publike përpara godinës së Kryeministrisë, ku dyshohet se janë vendosur çadër dhe objekte të tjera pa leje dhe në kundërshtim me urdhrat e forcave të rendit.
Materialet hetimore janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme proceduriale, ndërsa policia paralajmëron se hetimet do të vijojnë për të zbardhur plotësisht përgjegjësitë e secilit të përfshirë.
