Një grup deputetësh të Partisë Demokratike propozuan sot në komisionin e Ligjeve një shtesë në ligjin “Për gjendjen civile”, ku kërkohet përcaktimi pa ekuivok i dy gjinive (mashkull-femër) në Shqipëri
Një prej nismëtarëve të këtij projektligji, deputeti demokrat Bardh Spahia prezantoi para anëtarëve të komisionit nismën ligjore, e cila sipas tij “është me rëndësi themelore për identitetin tonë shtetëror dhe juridik”.
Spahia tha se projektligji parashikon të shtojë një nen të ri në ligjin “Për gjendjen civile”, i cili përcakton qartë dhe pa ekuivok se në Republikën e Shqipërisë ekzistojnë vetëm dy gjini njerëzore, mashkull dhe femër, të përcaktuara biologjikisht që në lindje dhe të pandryshueshme ligjërisht.
Sipas tij, “ky përcaktim nuk synon përjashtimin apo diskriminimin, por garanton siguri juridike, mbrojtje të fëmijëve dhe ruajtjen e rendit shoqëror dhe moral mbi të cilën mbështetet shteti shqiptar”.
Spahia tha se Kushtetuta sanksionon disa parime që e mbështesin drejtpërdrejt këtë projektligj, duke përcaktuar familjen si bazën e shoqërisë dhe duke përcaktuar qartë binaritetin gjinor si themel i institucionit të familjes.
