
Hetimet zbuluan përdorimin e një sistemi të palicencuar faturimi dhe deklarime të rreme tatimore për vite me radhë
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kompaninë tregtare “Buzi Store”, e cila akuzohet për fshehje të të ardhurave në bashkëpunim me ekonomistin e saj, duke shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar për shtetin. Sipas dosjes hetimore, kompania dyshohet se ka shmangur deklarimin e rreth 3.7 milionë euro të ardhurave, duke ulur në mënyrë të paligjshme detyrimet tatimore.
Hetimi, i zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe përmes metodave speciale të kontrollit financiar, çoi në sekuestrimin e një sërë provash materiale pas kontrolleve në tetë adresa të ndryshme, përfshirë ambiente tregtare dhe zyra të lidhura me aktivitetin e shoqërisë. Gjatë kontrolleve u sekuestruan pajisje kompjuterike, telefona, tableta dhe shuma parash deri në 8 milionë lekë, të pa justifikuara me dokumente.
Sipas Prokurorisë, kompania përdorte një sistem online të pa licencuar për lëshimin e faturave, përmes platformës “store.dyqanimen.com”. Përmes këtij sistemi, lëshoheshin fatura të falsifikuara ose të manipuluara, të cilat deklaroheshin me vlera më të ulëta se shitja reale, duke shmangur fiskalizimin dhe pagesën e taksave të detyrueshme.
Në shumë raste, fatura e lëshuar klientit nuk përputhej me atë të deklaruar tek autoritetet tatimore.
Prokuroria ka ngritur akuzën për “Fshehje të të ardhurave” si dhe “Kryerje të veprës penale në bashkëpunim”
Gjykimi pritet të nisë në ditët në vijim, ndërsa organet e drejtësisë paralajmërojnë se hetimet mbi rrjetin e furnitorëve dhe klientëve të përfshirë mund të zgjerohet.
