
Shtetas italianë u bindën përmes një call centeri të transferonin mijëra euro për investime që nuk ekzistonin
Prokuroria pranë Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka dërguar në gjyq shtatë persona, të akuzuar për mashtrim të shtetasve të huaj, kryesisht italianë, përmes investimeve të rreme në bursën Forex. Hetimet zbuluan se të pandehurit kishin ndërtuar një skemë të mirëorganizuar mashtruese, e cila funksiononte në formën e një call center-i.
Sipas organit të akuzës, aktiviteti i paligjshëm zhvillohej në ambientet e shoqërisë OZAR sh.p.k., ku të përfshirët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kontaktonin shtetas të huaj dhe i bindnin të investonin shuma të konsiderueshme parash, duke u premtuar fitime të larta financiare. Në realitet, investimet nuk kryheshin dhe paratë përdoreshin për përfitim personal.
Nga aktet hetimore rezulton se viktimat, mes tyre edhe shtetasit italianë L.C. dhe S.S., janë nxitur të kryejnë transferta bankare me justifikime të ndryshme, përfshirë kontrata fiktive, penalitete të rreme dhe premtime për kthim shumëfish të shumave të investuara. Në një rast, një nga shtetasit italianë ka transferuar 8 700 euro, ndërsa më pas i është kërkuar edhe një pagesë shtesë prej 3 500 eurosh, nën pretendimin e penaliteteve për vonesë.
Hetimet kanë treguar se secili prej të pandehurve kishte rol të përcaktuar në funksionimin e skemës, nga operatorët që komunikonin drejtpërdrejt me viktimat, deri te drejtuesit që koordinonin punën dhe merrnin vendime organizative. Prokuroria thekson se veprimtaria mashtruese është kryer me dashje të drejtpërdrejtë dhe me qëllim përfitimi pasuror.
Në kuadër të këtij procedimi penal, janë veçuar gjithashtu akte për hetime të mëtejshme lidhur me mashtrime me pasoja të rënda dhe pastrim të produkteve të veprës penale, në bashkëpunim me autoritetet e huaja. Materialet tashmë ndodhen në gjykatë, ku pritet të nisë procesi gjyqësor ndaj të pandehurve.
