Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 25 vite burg për të miturin Mario Përlleshaj, i akuzuar për vrasjen e Martin Canit, në kuadër të veprës penale “Vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave”.
Prokurorja Alma Felaj theksoi se dënimi përfundimtar është në dorë të gjykatës, duke përmendur nenin 97 të Kodit Penal për të mitur, sipas të cilit dënimi maksimal nuk mund të tejkalojë 12 vite. Kjo do të thotë se, duke marrë parasysh statusin e të miturit, ai mund të dënohet me një masë më të ulët se gjysma e dënimit fillestar. Në seancën e ardhshme do të shqyrtohen konkluzionet e mbrojtjes dhe qëndrimet e palëve të dëmtuara.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 18 nëntor 2024 pranë shkollës “Fan Noli”, ku përleshja mes të miturve përfundoi me vdekjen e Martin Canit dhe plagosjen e Luis Meçja. Vetë autori i dyshuar mbeti i plagosur gjatë konfliktit. Që nga nëntori i vitit të kaluar, 14-vjeçari mbahet në institucionin e të miturve në Kavajë.
