Këshilli i Ministrave ka njoftuar se Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni ka publikuar për konsultim publik projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr.152/2013, “Për Nëpunësin Civil”, të ndryshuar.
Si pjesë e propozimeve për ndryshim në ligjin aktual është përmirësimi i modelit të Shërbimit Civil në Shqipëri, duke rritur efikasitetin e procesit të pranimit dhe procedurave menaxheriale për shërbimin civil, me qëllim krijimin e kushteve për tërheqjen e sa më shumë profesionistëve të kualifikuar nga jashtë Shërbimit Civil.
Propozohet për më shumë transparencë, fleksibilitet dhe siguri të shtuar në rekrutim dhe trajtimin e nëpunësve të nivelit të lartë.
Sipas ndryshimeve të propozuara do të rritet kufiri për kandidatët që mund të rekrutohen nga jashtë, nga 20% në 50% të pozicioneve vakante brenda administratës publike brenda një viti.Do të ketë një strukturë të riformatuar pagash që inkurajon performancën dhe rrit motivimin e punonjësve.Sipas njoftimit të Këshillit të Ministrave ndryshimet ligjore synojnë krijimin e një administratë profesionale dhe e mbështetur në merita qëndron në bazën e përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe forcimi i saj synohet të arrihet edhe nëpërmjet këtyre ndryshimeve ligjore të propozuara.
